Me të vërtetë, faraoni ka ngritur kryet lart në tokë, e popullin e saj e ka grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemte e tyre ua mbyt, e gratë e tyre ua lë të jetojnë. Vërtet, ai ishte prej më shkatërrimtarëve.
Ne nënën e Musait e inspiruam: t’i japë atij gji, e kur të keshë frikë për të, atëherë atë hidhe në lumë, e mos u frikëso as mos u pikëllo, se Ne do ta kthejmë atë ty dhe do ta bëjmë atë nga të dërguarit.
E atë e gjeti familja e faraonit, ashtu që në fund ai t’u bëhet atyre armik e dëshprim. Vërtet, faraoni, Hamani dhe ushtria e tyre ishin kundërshtarë (gabonin me qëllim).
E gruaja e faraonit tha: “Shpresë gëzimi për mua dhe për ty, mos e mbytni atë, ndoshta do të na sjellë dobi ose do ta adoptojmë për fëmijë”. Pra ata nuk e dinin rrjedhimin.
E zemra e nënës së Musait agoi e zbrazët (kur kuptoi se ka rënë në duar të faraonit) dhe gati ta zulojë atë (fëmijën), sikur të mos ia forconim Ne zemrën e saj që të bëhet e bindur (në premtimin e All-llahut).