Thuaj: “Sikur All-llahu t’a bënte natën të përhershme (t’ua zgjaste) deri në ditën e kijametit, ç’mendoni, coli zot pos All-llahut do t’ju sillte juve dritë? A nuk merrni vesh”
Thuaj: “Më tregoni, nëse All-llahu ua bën ditën të vazhdueshme deri në ditën e kijametit, cili zot pos All-llahut do t’ju sjellë natë që të pushoni në të? A nuk shihni (sa po gaboni)?”
Dhe Ne do të nxjerrim prej çdo populli dëshmitarë e u themi: “Sillni argumentin tuaj!” ATëherë do ta kuptojnë se e drejta (për Zot) është vetëm e All-llahut, dhe dështon çdo trillim i tyre.
Karuni ishte nga populli i Musait dhe ai shtypte atë popull ngase Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri sa që një grup i fuqishëm mezi bartin çelësat e (pasurisë së) tij, e kur populli i vet i tha: “Mos u kreno aq fortë sepse All-llahu nuk i do të shfrenuarit!”
Dhe me atë që të ka dhënë All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqia në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit.
Ai (Karuni) tha: “Më është dhënë vetëm në saje të dijes sime!” Po a nuk e di ai se All-llahu shkatërroi para tij nga popujt e lashtë asish që ishte edhe më i fuqishëm e më i pasur se ai, po mëkatarët kriminelë as që do të pyeten për faje e tyre (meqë All-llahu e di).
Ai (Karuni) doli para popullit të vet me stolinë e vet, e ata që kishin synim jetën e kësaj bote thanë: “ah, të kishim pasur edhe ne si i është dhënë Karunit, vërtet ai është fatbardhë!”
E ata që ishin të zotët e diturisë thanë: “Të mjerët ju, shpërblimi i All-llahut është shumë më i mirë për atë që besoi dhe bëri vepër të mirë, po atë nuk mund ta arrijë kush përveç durimtarëve!”